Dy avionë, TК1358 i “Turkish Airlines”, që fluturonte nga Madridi për në Stamboll, dhe “SunExpress”, që fluturonte nga Dalaman në Londër-Gatwick, për pak sa nuk u përplasën mbi qiellin e Shkupit më 7 shtator. Sipas pamjeve nga faqja e internetit për ndjekjen e fluturimeve Flightradar24, avionët ishin afër përplasjes mbi zonën e Miladinovcit, pranë Shkupit.
Sipas rregullave të trafikut ajror, mes avionëve duhet të ketë një distancë vertikale prej 2,000 këmbësh. Në këtë rast, 30 sekonda para se të kalonin njëri-tjetrin, avionët ishin në të njëjtën lartësi prej 36,000 këmbësh, por më pas njëri u ngrit në 36,325 këmbë, ndërsa tjetri zbriti në 35,475 këmbë, duke shmangur përplasjen.