Monday, September 30, 2024
spot_img
BallinaLajmeIsabel Alende: Pse njerëzit janë lodhur nga demokracia dhe po përqafojnë diktaturat

Isabel Alende: Pse njerëzit janë lodhur nga demokracia dhe po përqafojnë diktaturat

Nga Carlos S.Maldonado, El Pais

Shkrimtarja kiliane tejet pjellore Izabel Alende, u rikthye në librari këtë javë, me librin e saj të parë për fëmijë “Perla: qeni i fuqishëm”. Është një histori që ka lindur nga një ngjarje e rëndomtë. Një ditë, Alende, 81 vjeçe, kishte dalë për të shëtitur me qenin e saj të vogël, i cili ka të njëjtin emër me kafshën shtëpiake në librin e saj.

Perla iu afrua një peme dhe filloi të lehë ndaj një ketri aty sipër. Papritur, një qen i madh këputi zinxhirin dhe nisi ta sulmonte. “Të gjithë vrapuan për të mbajtur qenin e madh, por ne nuk arritëm në kohë. Perla u kthye dhe u përball me të. Nuk e kisha parë kurrë të sillej ashtu; qimet i ishin ngritur përpjetë dhe shkumëzonte nga goja. Ulërinte si një bishë e madhe, dhe pas disa momentesh qeni trupmadh u largua. Pas kësaj, njerëzit bënë video dhe foto dhe Perla u bë një personazh i famshëm në park”, tregon autorja për El País.

Libri, i botuar me ilustrime nga Sendi Rodrigez, tregon historinë e Nikos, një djali i vogël, familja e të cilit shpëton një qen, i cili së shpejti do të bëhet miku i tij më i mirë. Djali është bullizuar në shkollë, por ai nuk i tregon askujt për këtë. Alende e riprodhon në libër skenën e parkut dhe qëndrimin kurajoz të Perlës ndaj qenit që donte ta sulmonte.

Guximi i qenit të vogël e ndihmon djalin të përballet me ngacmuesin e tij. “Ajo situatë më dha idenë se shpeshherë nëse përballemi me atë që kemi më shumë frikë, del se nuk është dhe aq i tmerrshëm”, thotë autorja e librave “Ishulli nën det”(2009) dhe “Paula”(1994), historia e sëmundjes dhe vdekjes së vajzës së saj.

Në këtë intervistë, Alende flet për fëmijërinë e saj të trazuar si vajza e dy prindërve diplomatë. Puna e tyre, e detyroi të ndryshonte vazhdimisht shkollë dhe të rritej si një vajzë e turpshme dhe e izoluar. Ajo flet edhe për gjërat apo situatat që i frymëzojnë librat e saj, ndërsa prek edhe çështje të aktualitetit.

Alende shqetësohet për të gjithë fuqinë që kanë grumbulluar “ngacmuesit” në botë.

Në librat tuaj, ju eksploroni në detaje marrëdhëniet njerëzore. Por në libër vepër të veçantë, fokusoheni në marrëdhëniet midis një djali dhe qenit të tij. Ju keni thënë në të kaluarën se ju pëlqejnë më shumë qentë se njerëzit…

Sigurisht, sepse qentë janë besnikë, miqësorë, argëtues dhe nuk ju përgjigjen.

Niko, protagonisti i ri i librit, vuan nga bullizmi në shkollë. Ju thoni në libër se “bullizuesit janë frikacakë”. A është libri një mesazh kundër abuzimit të fëmijëve?

Nuk më pëlqen ideja që të jap një mesazh, por më tepër të rrëfej një histori. Dhe nëse historia ju mëson diçka të mirë, atëherë aq më mirë. Mendoj se nëse përballemi me atë që kemi më shumë frikë, del se nuk është dhe aq e tmerrshme. Prindërit dhe mësuesit, duhet të vëzhgojnë dhe të përpiqen t’i mbrojnë fëmijët. Por duhet të ketë edhe një përpjekje nga ana e vetë fëmijëve për t’u mbrojtur.

Por shpesh fëmijët heshtin. A mendoni se një fëmijë që vuan nga abuzimi mund të sillet si Niko kur ta lexojë këtë histori?

Një fëmijë i vogël i dhunuar ka shumë pak mbrojtje. Në shkollë nuk më kanë ngacmuar kurrë. Por unë kam ndërruar vazhdimisht shkollën, pasi prindërit e mi kanë qenë diplomatë. Fëmijërinë time e kalova duke ndryshuar shkolla, vende dhe miq. Ndihesha gjithmonë e përjashtuar. Kisha atë ndjenjën e mospërkitjes diku, të mospasjes së një shoqeje apo shoku. Në pushimet midis orëve, fshihesha pas një libri, duke u shtirur sikur po lexoja, që të mos e kuptonin sa e vetmuar isha.

Si u përballët me atë përjashtim?

Nuk mund ta përballoja asnjëherë, sepse sapo nisja të bëja miq, duhej të shkoja diku tjetër. Në jetë kam mësuar të marr vetë iniciativën e miqësisë. Por kur isha e re, veçanërisht kur isha adoleshente, isha shumë e turpshme. Nuk guxoja të merrja asnjë iniciativë. Nëse askush nuk më ftonte të bashkohesha me të, qëndroja në cepin tim me një libër në duar.

Është e çuditshme, sepse ju keni thënë se një nga fuqitë tuaja është t’i bëni njerëzit të qeshin…

Njeriu ndryshon shumë me kalimin e moshës. Vetë rrethanat e jetës ndryshojnë. Unë nisa të nxjerr në pah personalitetin tim dhe të ndihem e qetë vetëm kur më në fund u kthyem në Kili. Atëherë isha 16 vjeçe dhe hyra në një shkollë me idenë se do të qëndroja përgjithmonë në një vend. Në atë kohë nisa të ndihesha më e sigurt për veten, por ishte shumë e vështirë.

Çfarë ndikimi ka letërsia tek Izabel Alende?

Më çon në një botë tjetër. Kur lexoj një libër, zhytem në një univers që e krijoi dikush tjetër dhe që e besoj plotësisht. E di që është trillim, e di që është roman, por i përkushtohem misionit. Dhe kjo është ajo që përpiqem të bëj kur shkruaj vetë. Përpiqem të krijoj një botë në të cilën jam zhytur, detaj pas detaji.

Dhe ndërsa jam në atë libër, nuk kam asgjë tjetër në kokën time, deri në pikën sa nuk arrij të pushoj, sepse librin e kam brenda vetes. Ëndërroj në gjumë librin, zgjohem në mëngjes duke e menduar. Ngrihem në mesnatë sepse më vjen një ide. Nuk mund ta lëshoj dot.

Në cilën pikë thoni “kjo mund të jetë një histori për një libër”?

Mendoj se janë këto “fara” që i kam brenda vetes, sepse më tërheq vëmendjen çdo gjë. Njerëzit më shkruajnë, më dërgojnë histori mbi jetën e tyre apo të gjyshërve. Unë jam shumë e disiplinuar dhe nis t’i shkruaj të gjithë librat e mi më 8 janar. Por shpeshherë, nuk e di se cila nga ato “fara” do të mbijë për të krijuar një libër. Ndonjëherë me 8 janar nis diçka që nuk mund ta zhvilloj, dhe kështu nis të shkruaj një gjë tjetër. Dhe befas e kuptoj se çfarë dua të bëj.

Sa ndikim kanë ngjarjet aktuale në punën tuaj? Në romanin tuaj të mëparshëm ju prekët një temë shumë të rëndë: ndarjen e familjes për shkak të politikave të migracionit në SHBA, që u ashpërsuan nën presidentin Donald Trump…

Unë nuk përpiqem të shkruaj mbi ngjarjet aktuale, sepse gjërat ndryshojnë shumë shpejt, por më tepër për tragjedinë njerëzore, e cila është e përjetshme. Unë kam një fondacion që punon në kufi duke ndihmuar emigrantët. Ne jemi në dijeni të qendrave të paraburgimit për fëmijët e ndarë. Sepse në SHBA, 1.400 fëmijë nuk kanë mundur ende të ribashkohen me familjet e tyre. Autoritetet i kanë dëbuar prindërit, por jo në vendet e tyre të origjinës. Ata i kthyen në Meksikë, dhe ata s’kanë mundur të ribashkohen me familjet e tyre.

A jeni i shqetësuar se kthimi i Trumpit në pushtet do ta përkeqësojë këtë situatë?

Sigurisht. Mendoj se do të ishte e tmerrshme për Shtetet e Bashkuara – dhe për njerëzimin në tërësi nëse Donald Trump do të bëhet sërish president. Shpresoj që të mos ndodhë, por ka shumë mundësi që të ndodhë, pavarësisht skandaleve të tij. Partia Republikane e mbështet atë, ndaj ka shumë mundësi që ai të zgjidhet. Dhe tashmë është paralajmëruar një dëbim masiv i emigrantëve.

Pse mendoni se në SHBA një përqindje e lartë njerëzish e mbështetin Trump?

Sepse në shumë vende ka një zhvendosje drejt të djathtës ekstreme dhe një rikthim tek autoritarizmi, sikur demokracia të ketë dështuar. Njerëzit mendojnë se nuk janë të përfaqësuar në demokraci, dhe se ajo është po aq e korruptuar sa çdo sistem tjetër. Ata po kërkojnë të drejtohen një lider autoritar. Për këtë mjafton të shihni se çfarë ka ndodhur në El Salvador me presidentin Bukele.

Por përse është kaq tërheqës totalitarizmi?

Sepse njerëzit duan përgjigje të qarta.

A ndihmon letërsia që njerëzit të mos bëhen bullizues kur të rriten?

Nuk mendoj se letërsia e ka këtë fuqi. Letërsia na jep gjëra të tjera. Ajo na lidh me njerëzit e tjerë, na bën të kuptojmë se nuk jemi vetëm, se ajo që na ndodh, nuk na ndodh vetëm neve. Mendoj se kjo është fuqia e letërsisë, fuqia e ndërlidhjes. Ajo na bën pjesë të njerëzimit.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit