Sa vijnë e afrohen zgjedhjet partitë politike të “çudisin” me oferta ekonomike. Disa thonë se do e zgjidhin problemin e kamotshëm me papunësinë, duke premtuar rritje enorme të pagës minimale dhe mesatare. Disa të tjera në plan programet parazgjedhore kanë nxjerrë platforma si të shpëtohet ekonomia vendit. VMRO DPMNE thotë se mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore do ta plotësoj me rikthimin e atyre që kanë ikur jashtë shtetit. Për kompanitë do të mbahen tatimet e ulëta dhe nuk do t’u shtohen detyrime. Opozitarja e Mickoskit zotohet për uljen e ekonomisë gri, duke luftuar korrupsionin, nisur nga doganat.
“Me platformën 1198, angazhohemi për transformimin ekonomik të Maqedonisë, inflacion të ulët 2,5%, papunësi të ulët 7,5%, rritje ekonomike në 5% në vit dhe investime kapitale prej 3 miliardë euro, në një mandat, prej të cilave 250 milionë euro në vit janë vetëm për zhvillimin rajonal, për komunat”, thonë nga VMRO DPMNE.
Në programin e ri zgjedhor, LSDM premton standard më të lartë të jetesës, paga e pensione evropiane. Nga kjo parti thonë se në 2028 pensioni minimal do të jetë 20.000 denarë, kurse ai mesatar 500 euro. Kryetari i socialdemokratëve Kovaçevski në fjalimin e tij në Kongresin e 28-të premtoi se paga mesatare do të arrijë shifrën rekord prej 1.100 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 37.000 denarë ose 600 euro.
“Pensionin mesatar e kemi rritur për 6.400 denarë, kurse minimalen për 50%. Në vitin 2028 pensioni minimal do të jetë 20.000 denarë, kurse pensioni mesatar do të jetë 30.000 denarë. Plus, nga ky vit dhe çdo vit tjetër do të ketë një pako prej 100 eurosh për çdo pensionist në vend. Rritja e pagës minimale, rritja e shtesave sociale për qytetarët me 300% dhe kemi ulur papunësinë nga 25% në vetëm 12,8%”, thonë nga LSDM.
Ekspertët ekonomik, thonë se pas çdo premtimi, në rend të fundit mbeten zhvillimet ekonomike. Ndonëse një nga shtyllat kryesore të ekzistencës së shoqërisë, partitë me të arritur qëllimin e hyrjes në pushtet, menjëherë ndryshojnë kursin, ose të paktën kështu perceptohet nga jashtë duke u nisur nga platformat mbresëlënëse që i proklamohen elektoratit deri në ditën e zgjedhjeve. Realiteti është ndryshe. Ato që rriten sigurt janë shpenzimet e kostos së jetesës ku çmimet ushqimore e kanë çuar shportën e konsumit në 1,210 euro me gjithë qiranë, por deri në 2028 sipas kësaj dinamike hendeku do jetë i thellë.
“Oferta e LSDM-së është e njëjta për disa vite, me disa ndryshime të vogla. Por, oferta e VMRO-së është ajo që e premtonin në kohën e Gruevskit, praktikisht një kopje e shëmtuar. Programet e dy partive nuk janë aspak reale, dëshpërojnë pa ide të qarta dhe nuk janë aspak kreativë. Nuk ka asgjë të re nga ajo që e flasin për disa vite rresht. Por nuk jam i befasuar se ekonomia nuk ka qenë asnjëherë prioritet për politikanët. Dy partitë më të mëdha në vend janë si monedha njëjtë me dy fytyra”, u shpreh Branimir Jovanoviç, Ekspert ekonomik.
Qytetarët mbajnë mend se sa kalojnë zgjedhjet, cilado parti që vjen në pushtet, për mos realizimin e projekteve të investimeve kapitale dhe premtimeve tjera, fajin e hedhin tek faktorët e jashtëm sikurse kriza ekonomike botërore, rritja e çmimeve në nivel rajonal, varësia nga tregu i huaj dhe arsyetime tjera.