Vladimir Putin është një “përbindësh” dhe ka “vrarë sërish”, ka thënë sot në mëngjes bashkëshortja e Aleksander Litvinenkos.
Bëhet fjalë për Marinan, burri i së cilës vdiq në vitin 2006 pasi piu çaj të helmuar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Përpara se të largohej nga Rusia dhe t’i jepej shtetësia britanike, Litvinenko e kishte akuzuar Putinin për korrupsion dhe e fajësoi atë për një numër bombardimesh që ndihmuan në fillimin e Luftës së Dytë Çeçene në vitin 1999.
Vrasja e ish-agjentit rus të FSB-së dyshohej se ishte nënshkruar personalisht nga Putin, por Rusia gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje.
Duke folur për Sky News pas vdekjes së Alexei Navalny, zonja Litvinenko tha se lajmi ishte “tronditës” dhe ajo nuk kishte “asnjë dyshim” se presidenti rus ishte përgjegjës.
“Isha shumë e zemëruar sepse Putini kishte vrarë përsëri…”, tha ajo. “Putini është një përbindësh”.
Ajo theksoi se Putin donte që njerëzit të jetonin me frikë, por u zotua se nuk do të heshtte.
“Është detyra ime t’u kujtoj njerëzve se edhe jeta e tyre mund të jetë në rrezik nëse ata qëndrojnë të heshtur dhe nuk thonë asgjë kundër regjimit të Putinit”.
“Ne duhet t’i mbështesim këta njerëz brenda Rusisë. Duhet të mendojmë për të burgosurit e tjerë politikë në Rusi”.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shpëtuar jetën e këtyre njerëzve, përndryshe regjimi i Putinit do të arrijë rezultatin e tij”.