Pas lëvizjeve të fundit politike në Maqedoninë e Veriut sidomos në kampin politik shqiptarë, ajo për të cilën mund të konstatojmë lirshëm është se e pamundura nuk ekziston. Opozita shqiptare kësaj here janë më të fuqishëm se asnjëherë më parë, janë bashkuar tre parti politike e në mënyrë të drejtpërdrejt është bashkangjitur edhe VV-ja e Albin Kurtit përmes këshilltarit të tij për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, i cili pritet të jetë në listë për deputet. Në këto rrethana duke marrë parasysh vitin aktual që kemi zgjedhje të dyfishta është e natyrshme dhe e rrugës që në këtë garë të ketë edhe kandidat shqiptar. Praktika e kandidatëve shqiptarë për kryetar shteti në RMV ka zanafillë të hershme, sepse ka pasur mjaftueshëm kandidat, i fundit ishte profesori Blerim Reka. Por, nuk janë të mjaftueshëm vetëm kandidatët është e nevojshme edhe përkrahja dhe mbështetja, e në rastin në fjalë opozita shqiptare ka vendos për kandidat të përbashkët, Arben Tararavrin, kreun e ASH-së i cili pritet t’i bashkëngjitet LEN-it, shkruan Zhurnal.
Arben Taravari kandidat për president i opozitës shqiptare –
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot publikoi se do të jetë kandidat për president të shtetit. Kandidatura e tij, siç tha, është propozim i Kryesisë së ASH-së, me mbështetje nga partitë opozitare të shqiptarëve, të bashkuar në koalicionin “Lidhja evropiane për ndryshim” (LEN).
“Është privilegj të të besojnë kaq shumë faktorë. Ka ardhur koha që shteti të ketë president shqiptar, jo teknik por të vërtetë”, tha Taravari në konferencën për shtyp në Gostivar, në të cilën morën pjesë liderët e tre partive nga LEN, Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike, Afrim Gashi i Alternativës dhe Bilal Kasami i Lëvizjes Besa, si dhe Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Kurti.
Taravari paralajmëroi se do të kërkojë mbështetje nga të gjitha partitë politike që konsiderojnë se ai është njeriu që duhet ta udhëheqë vendin në pesë vitet e ardhshme, si dhe nga organizatat joqeveritare, ndërsa siç tha, para së gjithash, nga populli mbështetja është më e rëndësishme për të. Do të kandidohet me dorëzimin e 10.000 nënshkrimeve, të cilat pret t’i mbledhë brenda dy ditëve.
“Propozimi është i një muaji më parë, këmbëngulja ishte nga miqtë, shokët, bashkëmendimtarët, u ulëm me partitë opozitare, tashmë jemi një opozitë e përbashkët shqiptare, të shtunën do ta zyrtarizojmë këtë dhe erdhëm në përfundimin se do të ishte më mirë për mua të kandidoja për president. Unë kam vendosur mbrëmë vonë të kandidoj, tha Taravari, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë kryetar komune derisa të zgjidhet president, sipas tij.
A është koha për president shqiptar?
Në zgjedhjet e fundit presidenciale ato të vitit 2019 shqiptarëve nuk u mungoi kandidati, por kandidatit i munguan të gjithë shqiptarët. Në garë ishte futur Blerim Reka si kandidat i përbashkët i opozitës por që atë kohë opozita nuk ishte e konsoliduar në këtë format.
Nga ana tjetër, partia në pushtet BDI kishte vendosur për kandidat konsensual, Stevo Pendarovskin, të propozuar nga LSDM. Pra, BDI nëpër çdo degë e nëndegë të tyre promovonin kandidat të përshtatshëm dhe ideal për vendin, Stevo Pendarovskin. Pra, edhe pse kishte kandidat shqiptarë BDI bënte apel që të votohej kandidati maqedonas. Nën arsyetimin se tani është koha për president shqiptar.
Por, menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale BDI doli me idenë e kryeministrit të parë shqiptar, me sloganin “pse jo?”. Dhe, nga kandidati për kryeministër ranë dakord me LSDM-në që në 100 ditëshin e fundit të Qeverisjes me vendin të ketë një kryeministër shqiptar që udhëheq me qeverinë teknike. Dhe, ndodhi pikërisht kështu.
Duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi është koha dhe nuk ka kurrfarë pengese që në krye të vendit të ketë një president shqiptar. Sepse, edhe ashtu vetëm pozita e presidentit ka mbetur e pa prekur dhe e pa arritshme për shqiptarët. Shqiptarët ndër vite kanë pasur mjaftueshëm kandidatë për president, por nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme.
Kandidatura e Arben Taravarit nga prizmi analitik shihet si serioze dhe e qëlluar në këtë kohë të mjegulluar. Taravari në karrierën e tij ka qenë në shërbim të qytetarëve pa kurrfarë dallime pikërisht ashtu siç e kërkon edhe vet pozita e presidentit. Njëherë si mjek e neurolog me renome brenda dhe jashtë vendit, e më pastaj edhe si profesor universitar e deri te kyçja e tij aktive në politikë.
Ai vazhdoi tutje shërbimin e tij për të gjithë qytetarët duke marr edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, nga ku qytetarët kishin qasje 24/7 të kontaktonin pyesin e të kërkonin ndihmë prej tij. Pastaj vazhdoi në krye të Gostivarit për dy mandate të plota. Dhe, kjo e bënë figurën e tij të përshtatshme për të qenë në pozitën e të parit të shtetit. Pra, përgatitja e tij profesionale, virtytet njerëzore janë dy komponentët kryesorë që e karakterizojnë, Taravarin.