Tuesday, October 1, 2024
spot_img
BallinaLajmeToshkovski i dha dinamikë pozitive tejkalimit të kaosit me dokumentet, mirë që...

Toshkovski i dha dinamikë pozitive tejkalimit të kaosit me dokumentet, mirë që i’u bashkangjit edhe LSDM dhe Kovaçevski

Edhe pse është e pamundur tërësisht të zgjidhet, një dinaimikë pozitive tejkalimit të problemeve me dokumentet duket se i ka dhënë ministri i ri i punëve të brendshme, Panço Toshkovski. Falë Ligjit që ai propozoi, e të cilin Kuvendi e miratoi, u arrit që lejet e vozitjes me emrin e vjetër të shtetit të vlejnë deri në fund të këtij viti. “Ka një zgjidhje për problemin dhe është shumë e thjeshtë. Nëse ka vullnet politik brenda një dite do të zgjidhen vuajtjet e qytetarëve. Kemi një propozim ligj për ndryshimin e Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit të Qytetarëve, ja ky është gati, është gati dhe ai tjetri. Madje këtë e kam nënshkruar. Projektligji për ndryshimin e ligjit për sigurinë në trafikun rrugor. Ka zgjidhje për një ditë, vetëm duhet të ketë vullnet politik”, deklaroi ministri për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski para se të vazhdohet afati i lejeve deri në fund të vitit.

Pasi jozyrtarisht jemi në periudhë parazgjedhore, këtë dinamikë intensive e kishin patjetër ta pranojnë edhe partitë tjera. Kështu, edhe kryeministri i deridjeshëm, kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, i është bashkangjitur “dinamikës pozitive” dhe ka propozuar që lejet e vozitjes dhe fletat e udhëtimit për qytetarët që gjenden jashtë vendit, të jepen pa pagesë. Ai theksoi se në këtë situatë ka ndikuar edhe pandemia dhe shprehu keqardhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.

“Kemi pasur dy vite pandemi, e cila prishi kanalet e furnizimit, prishi një numër të madh të proceseve të prodhimit në fabrikat që prodhojnë dokumentacion, dhe sigurisht mundësia e lëshimit të shpejtë të dokumenteve, duke pasur parasysh se për dy vite kishim masa të demarkacionit fizik të qytetarëve”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Kovaçevski indirekt theksoi se në këtë situatë kanë ndikuar, siç theksoi, edhe deklaratat populiste të disa prej politikanëve, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i zëvendësojnë dokumentet, sepse ata do ta kthejnë emrin e vjetër kushtetues. “Ministrat tanë sot në seancën e Qeverisë do të propozojnë një zgjidhje me të cilën zëvendësimi i lejeve të shoferit dhe trafikut do të jetë pa pagesë deri në fund të vitit, në kurriz të shtetit, në mënyrë që procesi të zbatohet nga fundi i vitit”, tha Kovaçevski.

LSDM propozoi, Qeveria pranoi: Ndërrimi i Lejeve të vozitjes pa pagesë!

E meqë ishte propozim i partisë më të madhe për momentin në Qeveri, propozimi kaloi menjëherë, që do të thotë se po të ishte propozuar më herët, efekti do të ishte edhe më i madh, sado që mbetet keqardhja që vendim i njëjtë nuk u sjell edhe për pasaportat, që janë shumë më të kushtueshme se lejet e vozitjes. Në bazë të vendimit lejet për vozitje, lejet e qarkullimit dhe fletët e udhëtimit për shtetasit që ndodhen jashtë vendit do të jepen pa pagesë. Qeveria ka angazhuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme që të zbatojnë vendimin që është propozuar nga grupi i punës të ministrive përkatëse. MPJ-ja gjithashtu angazhohet për dhënien online të fletëve të udhëtimit në ato shtete ku ato mundojnë. Qeveria gjithashtu njoftoi se po shqyrton edhe mundësinë e kompensimit të parave që kanë dhënë qytetarët për nxjerrjen e dokumenteve personale, pasaportave dhe letërnjoftimeve, por kjo çështje sipas Bytyqit mund të pengohet për shkak të periudhës parazgjedhore që përcakton mënyrën e shpenzimit të fondeve buxhetore.

“Nga sot kemi angazhuar MPB-në që të ndërmarrë të gjitha aktet juridike që patentët e shoferit, lejet e qarkullimit rrugor për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilat duhet të ndërrohen para kohe, të jenë pa kompensim. Konkluzioni tjetër ka të bëjë me Ministria e Punëve të Jashtme, e cila duhet të ndërmarrë veprime që fletët e udhëtimit për të gjithë qytetarët të jetojnë jashtë vendit e që duhet të kthehen për të nxjerrë dokumente personale, kompensimi për fletët e udhëtimit do të jetë zero, ose do të jetë pa kompensim për ta”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

VMRO-DPMNE kërkon përgjegjësi penale nga Spasovski dhe Kovaçevski për kaosin me dokumentet

Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja kërkon përgjegjësi nga ish-ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski për kaosin me dokumentet personale.
Sipas opozitës, Spasovski duhet të përgjigjet për punë të pakujdesshme në shërbim, sepse ka lejuar lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se ato do të bëhen të pavlefshme para afatit të caktuar në pasaporta. Nga VMRO-DPMNE-ja i kanë bërë thirrje Prokurorisë, por edhe Avokatit të Popullit që të reagojnë.

“Presim që Prokuroria Publike dhe Avokati i Popullit të iniciojnë procedurë kundër Spasovskit dhe Kovaçevskit, si dhe Qeverisë në tërësi, e cila e çoi mbarë popullin në huti dhe shpenzime materiale. Të drejtat themelore të njeriut janë të shkelura dhe vetëm për shkak të qeverisjes në largim të LSDM-së dhe BDI-së, një numër i madh i qytetarëve nuk mund të lëvizin lirshëm jashtë Republikës së Maqedonisë”, tha Igor Janushev – deputet i VMRO-DPMNE-së. Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga Prokuroria dhe Avokati i Popullit për thirrjen e partisë opozitare. VMRO-DPMNE-ja akuzoi gjithashtu se Spasovski dhe Kovaçevski nuk i kanë siguruar me kohë as ekzemplarët për dokumentet.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit